Shperndaje në Facebook.

Viti 1919: Gostivari 83% shqiptarë, 9% serbë, 8% bullgarë

gostivar

Sot, sipas të dhënave zyrtare, Gostivari dhe rrethina ka gjithsej 81.042 banorë, prej të cilëve 54.038 shqiptarë, 15.877 maqedonë, 7.991 turq, 2.237 romë, 160 serbë, 39 boshnjakë, 15 vlleh dhe 685 të tjerë. Pra, shqiptarët, krahas komuniteteve të tjera kombëtare dhe etnike, përbëjnë shumicën e popullsisë së kësaj treve. Mirëpo, pothuajse para një shekulli, sipas të dhënave të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, strukturën e popullsisë së kësaj treve e përbënin tri komunitete kombëtare dhe etnike: shqiptarët, serbët dhe bullgarët. Veç kësaj, edhe numri i përgjithshëm i popullsisë ishte dukshëm më i vogël, për shkak të territorit gjeografik që kjo trevë ka përfshirë nën administrimin e saj.

Në dy dekadat e para të shek. XX në Kosovë, e cila deri në vitin 1912 kishte statusin administrativ të vilajetit me kryeqendër Shkupin, në kuadër të Perandorisë Osmane, u përpunuan statistika të popullsisë nga provenienca të ndryshme. Në përbërje të Vilajetit të Kosovës bënte pjesë edhe Gostivari, që gëzonte statusin e njësisë administrative (kaza-rreth), në kuadër të sanxhakut të Prizrenit. Pos organeve administrative osmane, që bënë regjistrimin e popullsisë së Vilajetit të Kosovës, edhe organet administrative serbe, malazeze, bullgare e austro-hungareze hartuan statistika të popullsisë së Kosovës në harkun kohor të viteve 1913-1918.

Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, i cili u formua më 1 maj të vitit 1918 në Shkodër, ishte një organizatë shqiptare në gjirin e së cilës u mblodhën intelektualë e prijës të shquar shqiptarë nga Kosova dhe vise të tjera shqiptare. Qëllimi i këtij Komiteti ishte çlirimi dhe bashkimi i Kosovës (Shkupit, Kumanovës, Preshevës, Tetovës, Gostivarit, Kaçanikut, Ferizajt, Gjilanit, Prishtinës, Vushtrrisë, Mitrovicës, Pazarit të Ri, Rozhajës, Pejës, Plavës, Gucisë, Gjakovës, Prizrenit) me Shqipërinë. Me të përfunduar Lufta e Parë Botërore (nëntor 1918), në janar të vitit 1919 Fuqitë Aleate (SHBA, Britania e Madhe, Franca dhe Italia) u mblodhën në Paris për të vendosur mbi paqen në Evropë e rrjedhimisht edhe ndryshimin e kufijve të saj.

Gjatë kësaj kohe, Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” me kryetar Hoxhë Kadri Prishtinën, u tregua mjaft aktiv që Konferencës së Paqes në Paris t’i ofronte prova të pa kontestueshme për shqiptarësinë e Kosovës, mizoritë serbo-malazeze e bullgare, që ishin ushtruar ndaj shqiptarëve në vitet 1912-1918 si pasojë e vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër më 1913, të cilat copëtuan Kosovën dhe vise të tjera shqiptare në kurriz të monarkive pushtuese ballkanike. Në këtë kontekst, ky Komitet i dërgoi kësaj Konference edhe statistika të popullsisë, të cilat argumentonin se popullsia e përgjithshme e Kosovës dominohej nga shqiptarët. Sipas një statistike të popullsisë së Kosovës, të hartuar nga ky Komitet, e cila është e përafërt me regjistrimet e mëparshme dhe konsiderohet e besueshme, sepse tregon për zvogëlimin e popullsisë së përgjithshme të kësaj treve shqiptare si pasojë e kolonizimit serb, vrasjeve dhe emigrimit të shqiptarëve e popujve të tjerë gjatë Luftërave Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore, Kosova kishte një popullsi të përgjithshme prej 1.065.960 banorë, nga e cila 881.989 (82.74%) ishin shqiptarë, 99.952 (9.37%) serbë, 47.781 (4.48%) bullgarë, 30.462 (2.85%) boshnjakë, 3.955 (0.37%) turq, 1.115 (0.10%) hebrenj, 650 (0.06%) grekë dhe 56 (0.005%) vlleh.

Në këtë statistikë të popullsisë, përveç 18 qendrave administrative, përfshihej edhe numri i përgjithshëm i popullsisë së Gostivarit dhe rrethinës. Sipas kësaj statistike në Gostivar dhe viset përreth kishte 34.200 banorë, prej të cilëve 28.380 frymë ose 82.98% ishin shqiptarë, 3.185 frymë ose 9.31% ishin serbë dhe 2.635 frymë ose 7.70% ishin bullgarë. Pra, sipas kësaj statistike, në këtë qendër të Kosovës banonin vetëm tri komunitete kryesore etnike: shqiptarët, serbët dhe bullgarët. Duhet theksuar se statistika në fjalë u përdor nga Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, për t’i tërhequr vëmendjen Konferencës së Paqes në Paris, që Fuqitë Aleate të gjykonin objektivisht ndaj shqiptarëve të Kosovës e viseve të tjera shqiptare dhe të vendosnin e njihnin bashkimin e kësaj treve (përfshi edhe Gostivarin) me Shqipërinë.

Shperndaje në Facebook.